Fuqia e inteligjencës

  • Histori

    2014 tetor 28, 09:00 CEST

    Në panairin Hannover 2013, kompania SKF prezantoi një teknologji të re dhe novatore që premton të revolucionarizojë mënyrën si si inxhinierët i përdorin dhe komunikojnë me kushinetat. Kjo teknologji e re, e quajtur SKF Insight, ka përfshirë një minisensor inteligjent të pavarur për furnizimin me energji në qendër të kushinetës. Kjo i ka lejuar inxhinierët që, për herë të parë, të monitorojnë kushtet e punës të një kushinete nga brenda një makinerie, në kohë reale. Si rezultat, konsumi dhe defektet e mundshme të kushinetës mund të planifikohen dhe të parandalohen, dhe jo thjesht të parashikohen siç ka ndodhur më parë.

    Tani, 18 muaj më vonë, teknologjia është në procesin e vlerësimit dhe po gjen përdorime praktike në disa sektorë të ndryshëm të tregut. Para se të kalojmë në detajet e tyre, le të shikojmë se çfarë e bën kaq revolucionare teknologjinë SKF Insight.

    Projekti Insight lindi nga fakti se pak kushineta kanë defekte gjatë shërbimit si rezultat i kushteve normale të punës. Në të vërtetë, shumica e defekteve gjatë shërbimit ndodhin si pasojë e keqpërdorimit, neglizhencës, problemeve të lubrifikimit ose kushteve të punës që nuk janë parashikuar kur është projektuar fillimisht makineria ose kushineta origjinale e specifikuar. 

    Zakonisht monitorimi i gjendjes shikon shenjat e para të defektit duke matur nivelet e dridhjeve. Sinjalet e dridhjeve normalisht ndodhin kur copëzat e para të vogla të çelikut fillojnë të bien nga sipërfaqja e kanalit të unazës ose të elementeve rrotullues të kushinetës. Deri sa ky dëmtim të arrijë në fazën kur mund të zbulohet me anë të sensorëve konvencionale, tashmë është shumë vonë pasi kushineta ka pësuar në fakt dëmtime që ndikojnë në rendimentin dhe në jetëgjatësinë e saj operative.

    Inxhinierët e SKF-së ngritën pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse në vend të përdorimit të pajisjeve të jashtme të montimit, një kushinetë do të mund t'i zbulonte parametrat e rëndësishme që ndikojnë në mjedisin e saj të drejtpërdrejtë të punës dhe më pas t'i vinte në dispozicion menjëherë këto informacione nëpërmjet një lidhjeje me valë tek operatori i impiantit ose te prodhuesi i makinerisë.

    Nëse kushtet e punës mund të monitorohen në këtë mënyrë, atëherë mund të parandalohen dëmtimet e mundshme, ose të paktën të identifikohen para se të kenë ndikime, dhe veprimet korrigjuese mund të bëhen kur makineria është në punë. Kjo do të siguronte shmangien e defekteve të shtrenjta që shkaktojnë ndërprerje të punës, duke ulur kështu koston totale të pronësisë së aseteve dhe duke siguruar një jetëgjatësi operative më të madhe të makinerisë.

    Zgjidhja që është zhvilluar përdor minisensorë dhe elemente përbërëse inteligjente me valë që janë të integruara në kushinetë dhe që furnizohen me energji nga mjedisi i përdorimit gjatë rrotullimit të kushinetës. Si rrjedhim, kjo pako ka gjithçka të përfshirë - nuk duhen kabllo për energjinë ose nxjerrjen e informacioneve të sensorit - dhe pasi instalohet pajisja funksionon në mënyrë autonome.

    Teknologjia inteligjente e komunikimit me valë brenda kushinetës bën të mundur që ajo të përdoret në mjedise ku teknologjia tradicionale Wi-Fi nuk mund të funksionojë si duhet. Ajo lejon po ashtu që kushinetat të konfigurohen në rrjete inteligjente që komunikojnë nëpërmjet portave të kalimit me valë.

    Një kushinetë SKF Insight mund të monitorojë ngarkesën e zbatuar, cilësinë e lubrifikimit, shpejtësinë e funksionimit, temperaturën dhe dridhjet, si dhe të dallojë ndryshimet në mikrostrukturën e çelikut të kushinetës, duke dhënë shenja paralajmëruese paraprake para se të ndodhin dëmtime në nivelin e makrostrukturës. Më pas këto të dhëna mund t'i transmetohen nëpërmjet serverëve në renë kompjuterike një operatori lokal, i cili mund të përdorë një aplikacion të specializuar në smartfon ose tablet, ose një qendre monitorimi në largësi. Në çdo rast, mjetet e diagnostikimit interpretojnë të dhënat për të përcaktuar ndryshimet nga kushtet optimale të përdorimit, duke përfshirë ngarkesat e tepërta, shmangiet nga funksionimi dhe ndotjen e lubrifikantit, në mënyrë që të mund të bëhen menjëherë modifikime të kushteve të punës duke shtuar lubrifikant, duke zbutuar mbingarkesat e përkohshme, etj.

    Meqenëse kushinetat përfshijnë gjithçka që u duhet, ato mund të gjejnë zbatim në përdorime ku më parë ka qenë e pamundur të futeshin sensorë në qendër të makinerisë. Ky është një hap i rëndësishëm përpara për mirëmbajtjen në kohë reale sipas kushteve, por ai siguron po ashtu një njohje shumë më të mirë të mjedisit të punës kështu që do të jetë e mundur, për shembull, që një makineri të mund të përmirësohet për zgjatjen e jetëgjatësinë e saj ose për rritjen e normave të fuqisë mbi specifikimet fillestare. 

    Një nga qëllimet e teknologjisë SKF Insight është ta bëjë monitorimin e gjendjes të përdorshëm dhe të arritshëm në një nivel më të gjerë, sidomos në përdorime ku më parë është vlerësuar si i pamundur ose jo praktik. Kjo është një arsye pse kjo teknologji është në proces testimi në industri të vështira si energjia e erës, industria hekurudhore dhe prodhimi i çelikut.

    Fermat e turbinave të erës mund të ndodhen në vende të largëta dhe të vështira për të shkuar. Në disa aktivitete në det, kostoja e ndërrimit të kushinetës kryesore të turbinës së erës mund të jetë aq e lartë sa mund ta minojë që në fillim planin e biznesit për ndërtimin e turbinës. Si pasojë, ka një logjikë ekonomike për regjistrimin e ngarkesave dhe të kushteve të lubrifikimit gjatë shërbimit dhe për marrjen e masave për të eliminuar kushtet e dëmtimeve.

    SKF-ja po bashkëpunon tani me klientët e saj për integrimin e teknologjisë SKF Insight dhe zhvillimin e kushinetave inteligjente për monitorimin e turbinave të erës. Kjo lejon që informacionet dinamike të kushinetës të maten në gjendjen e vërtetë të punës dhe të transmetohen me valë te qendrat e monitorimit në largësi, ose te ekipet lokale të mirëmbajtjes. Zgjidhja aktualisht në vlerësim mund të monitorojë shpejtësinë e kushinetës, dridhjet, temperaturën dhe lubrifikimin dhe mund të montohet në sisteme të vjetra, duke e përmirësuar kështu menjëherë potencialin e përdorimit për mijëra turbina nëpër botë. 

    Një zgjidhje e ngjashme po zhvillohet për kushinetat e mocos së rrotave në sektorin hekurudhor. Këto janë elemente përbërëse të rëndësishme për sigurinë dhe normalisht ndryshohen në intervale të caktuara pavarësisht gjendjes. Me përfshirjen e SKF Insight, do të jetë e mundur të krijohet një metodë jashtëzakonisht efektive në aspektin e kostove për mbledhjen e të dhënave të monitorimit të gjendjes, në mënyrë që jetëgjatësia e kushinetës dhe rrjedhimisht intervalet e ndërrimeve të mund të përcaktohen me saktësi në bazë të kushteve operative faktike dhe jo thjesht të parashikuara. 

    Teknologjia inteligjente e kushinetës po hap dimensione të reja, në fushën e monitorimit sipas gjendjes por edhe në projektimin, funksionimin dhe jetëgjatësinë e makinerive. Novacionet si teknologjia SKF Insight tani po sigurojnë për herë të parë mjetet dhe të dhënat e rëndësishme që iu duhen inxhinierëve dhe menaxherëve të bizneseve për të maksimalizuar eficiencën, produktivitetin dhe fitimin e makinerive të tyre.

    Kompania SKF
    (publ)

    Për informacione të mëtejshme, kontaktoni::
    Marrëdhëniet me shtypin: Nia Kihlström, +46 31-337 2897; +46 706 67 28 97; nia.kihlstrom@skf.com

    SKF-ja kryeson tregun global si furnizues i kushinetave, permistopëve, mekatronikës, sistemeve të lubrifikimit dhe shërbimeve, të cilat përfshijnë mbështetje teknike, shërbime mirëmbajtjeje dhe qëndrueshmërie, konsultim dhe trajnim inxhinierik. SKF-ja është e pranishme në mbi 130 shtete dhe ka rreth 15 000 pika distributorësh në mbarë botën.

    Shitjet vjetore për vitin 2013 ishin 63 597 milionë SEK dhe numri i punonjësve ishte 48 401. www.skf.com

    ® SKF është markë e regjistruar tregtare e SKF Group.
    ™ BeyondZero është markë tregtare e SKF Group.

  • Imazh

Shkarko kompletin e shtypit

Kompleti i shtypit (421 KB)

SKF logo